Kthehu te Artikujt

Kështu e ka bota!?

nga Fatmir Lohja

Për herë të parë, papritmas, u ngrihet gracka edhe shqiptarëve jashtë kufijve. Paguani edhe ju, se nuk bëhet kiameti! Meqë babëzitja nuk ka kufi, përsëri përdoret hilja për ta grumbulluar me dhunë, taksën në fjalë. Në kundërshtim me ligjet financiare, taksa nuk vihet në monedhën shqiptare, si të gjitha taksat e tjera, por vihet në euro dhe vilet në lek

Këto dy dekadat e fundit, kur mbaron argumenti, nxirret formula:" Kështu e ka bota". Me këtë term absurd, mosdijes i vishet manteli i pseudokulturës. Për këtë shkrim shkak u bë revolta në tunelin e Kalimashit. Dhuna nuk është e pëlqyeshme ,nga të gjithë ata që kanë dy para mend në kokë. Është e vërtete, që shteti kapitalist, mbahet mbi grumbullimin e taksave direkte mbi popullin e tij, siç është vërtetë që edhe regjimet komuniste, shteti mbi taksa mbahet, por ato janë të fshehura bukur mirë, që në shpërndarjen e të mirave materiale.

Si në komunizëm

Në Shqipëri, regjimi në kalbëzim, në fund të viteve tetëdhjete, të shekullit të kaluar, bëri eksperimente mbi popullin shqiptar, me reformat e tufëzave dhe arzava, të famshme. Është më se e vërtetë, që ajo reformë mjerane, nuk është parë, e as dëgjuar në mbarë Globin Tokësor, së paku unë nuk e kam lexuar gjëkundi. A duhet paguar taksa për mirëmbajtjen e rrugëve? Edhe unë si ekonomist i vjetër jam pro pagesës se saj, por vetëm njëherë , dhe jo sa t'i tapet, e tupet qeverisë, për vlerën e saj. Si në komunizëm,taksa në fjalë, është fshehur tinëzisht, një herë në çmimin e karburanteve. Kjo është arsyeja ,ndonëse jemi vend prodhues nafte, çmimi i saj është më i lartë në rajon,njëkohësisht dhe me cilësi mjerane. Vendimet e gjykatave, po tregojnë se nga pusi nafta shkon direkt te automjetet, duke u shitur me çmimin më të lartë në Ballkan. Më e keqja është, se këtë taksë të fshehtë, e paguajnë, si; mjetet lundruese; bujqësore; statike dhe besoj se jeni të bindur që nuk dalin në rrugë aspak. Taksën, për mirëmbajtjen e rrugëve, tinëzisht e kanë grumbulluar si të majtët edhe të djathtët. Kinse ngatërrohen ndërmjet tyre, se kush ia ka futur më shumë, apo e më pak shqiptarëve. Të jenë të gjithë, më se të qartë se shqiptarët, si bota, e paguan taksën për rrugët, se nuk kanë si lëvizin pa karburant. Ndryshe nga bota, siç e thamë me lart, nga "dëshira" e madhe për të paguar taksa, për rrugët paguajnë flotat; detare; bujqësore dhe statiket.(Gjeneratorët, makineritë dhe pajisjet e ndryshme ,që punojnë me karburant, dhe nuk kanë rast ta shohin rrugën e asfaltuar, apo të paasfaltuar.

Do Perëndia që Qeveria të mos të na vërë taksën e pestë

Për Rrugën e Kombit ka histori të veçantë. E nisin të majtët. Për të grumbulluar para, shtesë për këtë rrugë, u vendos e famshmja taksa Majko, pra për të dytën herë. Fjalët e liga thonë se ato para, të grumbulluara nga shqiptarët, avulluan në fushata elektorale. Unë, si ekonomist i vjetër, nuk e besoj. Për të tretën herë, iniciativën e morën të djathtët. Nga taksat e shqiptarëve ju dhuruan 100 milionë euro kompanisë ndërtuese amerikane, për të blerë makineri e pajisje, që ta ndërtojë rrugën përgjysmë. Për herë të katërt, nga të majtët rivihet taksa për Rrugën e Kombit,me arsyetimin (e mosarsyetuar) se e kemi dhënë me koncension, dhe duhen para shtesë (për herë të katërt) që të ndërtojnë rrugën , e lënë në mes të rrugës, nga amerikanët dhe për ta përfunduar nga koncensionari i ri. Ju a them me bindje se këtë eksperiencë nuk e gjen në asnjë shtet, në globin tokësor. Shqiptarëve (brenda kufirit shtetëror u kërkohet ta paguajnë për të katërtën herë, me premtimin se do ta përfundojnë së ndërtuari me në fund). Pak kush e beson! Do Perëndia që qeveria të mos na vërë taksën e pestë, për të zhdëmtuar dhunën e ushtruar nga kuksianët! Për herë të parë, papritmas, u ngrihet gracka edhe shqiptarëve jashtë kufijve. Paguani edhe ju, se nuk bëhet kiameti! Meqë babëzitja nuk ka kufi, përsëri përdoret hilja për ta grumbulluar me dhunë, taksën në fjalë. Në kundërshtim me ligjet financiare, taksa nuk vihet në monedhën shqiptare, si të gjitha taksat e tjera, por vihet në euro, dhe vilet në lek. Asnjë shqiptar nuk ka për ta marrë vesh se me çfarë koeficientesh do të konvertojë euron koncensionari. Dhe kryebabzitja, jo rezidentëve shqiptarë, ju merren euro dhe ju kthehet kusurin në lekë, se kështu është programuar sistemi!? O pikë e zezë! Këtë shpikje as e kam parë, e as kam dëgjuar. Nuk kam asnjë arsye, si patriotike, profesionale;…. që ta mbështes këtë nismë të qeverisë.

AKSËN, PËR MIRËMBAJTJEN E RRUGËVE, TINËZISHT E KANË GRUMBULLUAR SI TË MAJTËT EDHE TË DJATHTËT

Komente (0)

Lër një Koment

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që ndani mendimet!