Vjollca dhe Manushaqja
nga Fatmir Lohja
Vjollca dhe Manushaqja janë mikesha.Vjollca është kryetare e SHGB-së ( Shoqata e Grave Bisnesmene),ndërsa Manushaqja është kryetare e SHGBF-së (Shoqata e Grave Bisnesmene Fasone). Nga njohja në gjimnaz nuk janë ndarë më . Ngaqë rrinë prej shumë kohe tok edhe informacionin e njohjes e kanë të imtësishëm për njëra-tjetrën.
Ndjekin trendin e kohës me shumë kujdes. Vjollca ka dëshirë ta therrasin Vjola. Manushaqja,nuk do më Shaqe,por Mani. Vetëm me dy emrat e rinj e kthejnë kokën pas. Në qytezë, bien në sy , se janë të; bukura; gjata;bjonduara; elegancës; mirëarsimuara; veshura me finesë; …., dhe caza xanxare. Me moshë, sapo kanë filluar të japin shënja vyshkje,por vazhdojnë të kënaqin shpirtin e burrave lakmitar për gratë.
Qytetarët e kanë të vështirë t’u drejtohen si zonja, apo zonjusha. Institucionin e martesës nuk e pranojnë, ndonëse bashkëjetojnë me burra. Për qytetaret janë zonja, se çdo natë flenë me burra.Ato vetëquhen zonjusha sepse nuk kanë çertifikatë martesore. Me këtë koncept i largohen termit arkaik të virgjërisë, me të cilin qytetarët i ndajnë me thikë zonjat nga zonjushat. Megjithëse janë aktiviste të shquara në çeshtjet sociale,ende nuk i kanë bindur banorët , të përdorin konceptet moderne të kohës.
Për t’u shmangur nga konflikti jo antagonist, janë gjetur alternative të ndryshme. Anëtaret e shoqatave e kanë zgjidhur, duke ju drejtuar kryetare. Bjerrakohësit profesionist i thërrasin bukuroshe dhe arrijnë t’u marrin buzëqeshjen . Një ditë,një vajzë e vogël,me sinqeritet fëminor,u bëri një kompliment:”Teta, jeni shumë të bukura!”Si gra në moshë,pa fëmijë,e shtrembëruan surratin për fjalën “teta”.Panë njëra-tjetren sy më sy, më pas shpejtuan hapin, pa i thënë vogëlushes faleminderit për komplimentin,dhe pa i treguar se si t’u drejtohej herët e tjera, që t’u bënte qejfin. Kujdes! Mos ju drejtoheni si dikur, me termin shoqe,se i mjeri ai ,ose ajo që bie në tilla gabime !
Nga miqësia e kryetareve edhe anëtaret e dy shoqatave shkojnë bukurmirë. Edhe me SHG-të e tjera japin e marrin, kur kanë leverdi. Vetëm SHGD-në ( Shoqatën e Grave të Divorcuara) nuk kanë asnjë bashkëpunim. Kur ligji e pranon bashkëjetesën, pse duhet të bëhet martesa? Kur nuk ka martesë, nuk ka as divorc, prandaj SHGD-ja nuk ka pse të ekzistojë. BE-ja e sponsorizon me pa të drejtë SHGD-në. Me sloganin:”Gruaja, si forcë e madhe në shoqëri , nuk ka lindur për të zier groshët,” SHGD-ja ka marrë përsipër t’i ndaj edhe ato qyqe gra, që si njëherë e një kohë, kanë gabuar, duke shkuar te shtëpia e burrit për; martesë ; rritje fëmije e katandie. Slogani nuk jep asnjë informacion, sa do të vogël,se kush duhet t’i zijë të mjerat fasule,që po dhunokan psikologjikisht gratë. Dihet botërisht si nga gratë , burrat edhe fëmijët , se fasulet nuk hahet pa u zier për merak. Kësaj pune dikush duhet t’i dalë për zot ,në një familje të mirë,se pa; zier; pjekur;ferguar mbesin pa ngrënë një kafshatë.
Në një aktivitet të përbashkët të shoqatave mike ,nga atmosfera ndezëse,si rezultat i tavolinave, që po u thyheshin këmbët, nga bollëku i pijeve dhe ushqimeve, që mbanin mbi supe, papritmas,rreshqiti një propozim nga baza: “Pse mos të bashkohen te dy shoqatat në një të përbashkët?” Për Vjolën dhe Manin u duk si një rrufe në qiellin e kthjellët. Meqë u gjetën krejtësisht të papërgatitura, për të mos prishur ndenjën ,u premtuan anëtarëve se do ta mendonin propozimin interesant.
Ai aktivitet shkoi më mirë se të mëparshmit, sepse konkurenca midis shoqatave u harrua. Në mbyllje binte në sy dashuria e veçantë e grave, meqë do të sheshohej hendeku i ndarjes organizative. Gratë u ndanë të bindura, se bashkimi do të bëhej,me arsyetimin: Kryetarët janë shoqe krykreje. Shoqatat kanë si objektiva të njëjtat shqetësime grashë. Më e gëzueshmja,duke qenë tok, do të ishin më konkuruese me shoqatat rivale.
Në darkë Vjollca po rrinte e papërqendruar në divanin përballë televizorit. Truri,i goditur psiqikisht, qe fiksuar te propozimi i bashkimit të dy shoqatave.” Pse kërkohet riorganizim,në një kohë që punët po shkojnë mirë? Po sikur Mani të kërkoj të bëhet kryetare?” Kjo pyetje e prishi në fytyrë, sikur po shihte një mi pallatesh. Bashkëjetuesi,që po pastronte diçka në banak,i ra në sy deformimi i bukuroshes.
Çfarë të shqetëson aq shumë?- e pyeti me mirësi.
Asgjë. Unë qetë po rri.
E vertetë që po rri e qetë,por diçka të mundon. Jam gati t’u ndihmoj.
Mirë që cofi kali,por nuk më lëne rehat as mizat, - dhe Vjollca u ngrit menjëherë në këmbë dhe shkoi në dhomën e gjumit.
E shpërqendroi nderhyrja e tij.” Do ta ndaj. Mjaft! U bënë pesë vite bashkëjetesë. Do të dijë gjithçka. Kërkon të ma bëjë edhe me hile.Dëshiron të më lejë shtatzënë, kinse padashje,në një kohë, që në njohje, i kam thënë se nuk dua fëmijë tani për tani. Ende nuk më ka njohur,që unë i besoj vetëm vetes. Pi rregullisht kontraceptivë për t’u ruajtur marrëzisë së tij.Si mund t’i shkojë ndermend gomarit,unë me bark të fryer, ndërsa Mani elegante !?”
Ne krevatin dopio u përqendrua në shqetësimin kryesor. Nga informacioni i pakët,nuk u kthente dot përgjigje pyetjeve:” Kush e tha i pari?Me çfarë qëllimi u lëshua kjo ide? A ka dorë Mani këtu?... “
E lodhën pyetjet papërgjigje. Me variantin, që Mani të bëhej kryetare dhe ajo nënkryetare,e konsideronte krejtësisht të papranueshëm. Nuk u muar me arsyetimin e tij. “Nuk pranoj dhe pikë!”
“Çfarë leverdije kam të mbaj Manin nënkryetare ?” Kjo autopyetje e la tërë natën pagjymë, sepse i dukej më tinzare se varianti i parë. U mundua të ndante në dy grupe të mirat dhe të këqijat e shoqes së ngushtë. Po çuditej me rreshtimin e fakteve.Të mira ishin fare pak, ndërsa veset e këqija përbënin qenien e Manit.
-Si mund të afroj një llafazane?
- Pse e mban shoqe kur është e tillë?
- Më sjell informacion të bollshëm për qytezën.
-Meqë e ka këtë ves,ka pëshperitur edhe për ju.
-Nuk ka pasur se çfarë të flasë, sepse informacionin ia kam dhënë me pikatore.”
E mbyllte debatin imagjinar , duke u futur në kujtimet e njohjes se shoqës. “ Si mund ta pranoj vartëse? Eshtë rritur në varfëri. Një tufë fëmijë, me prindërit punëtor, me veshtirësi e mbyllnin muajin. Një xhaxha me shumë i rri në burg,se sa në liri.E kam mbajtur afër sepse me dhimbsej, por nuk më shkon në asnjë mënyrë ndermend ta mbaj më pranë,për t’i dhënë llogari për punët e mija. Ajo ka shtëpinë e saj dhe unë qendroj në vilen time.”
“Më imiton për bashkëjetesën. Pabuksja,bashkëjeton me të dashurin e pestë, ndërsa unë me të dytin. Ku i gjeti, secilin me zhuls se tjetrin ?Nuk do fëmijë, se do të jetë me elegante se unë.” Nuk ia rreshtoi tëra budallallëqet e shoqes , sepse nuk kishte endje të merrej me marrëzitë e saja. “ Nuk do të bashkohen dy shoqatat në asnjë mënyrë !Që nesër do te filloj shkëputjen nga Mani,për të mos i dhënë rast askujt për të hedhur më, të tilla ide marroke.”
Lakmia, për të drejtuar një shoqatë të madhe, ia ndezte ambicjet,por edhe në këtë variant e sulmonin pyetjet: “ Po sikur anëtaret e shoqatave të vendosin për një kryetare tjetër dhe t’u shmangin të dyjave? Jam unë që i bej letrat për donacione me BE-në. Të bëjnë shoqaten e re,si politikanët,që krijojnë parti të reja, kur nuk merren vesh me kryetarët. Unë shoqaten e kam.Ne logjikën e vjeljes se donacioneve jam. Ikin një palë gra afroj të tjerat, ndonëse dëshira nuk më mungon, ta kem shoqatën me sa më shumë anëtare. Nuk ka edhe leverdi ekonomike bashkimi i dy shoqatave. Sot marrim donacione secila palë në vete, pa i dhënë llogari askujt. Me idenë absurde të bashkimit nesër do te marrim vetëm një donacion ,duke i dhënë llogari nënkryetares.” Kjo rezume,ia mbylli sytë në agim.
Mani , me të shkuar në shtëpi ,u shtir si e sëmure.Bashkëjetuesin e urdhëroi të mos i hynte në dhomë, sepse nuk ndjehej mirë nga ana shendetësore. E shtrirë në krevat, në mes drithërimave emocionale,nuk po i kthehej vetëdija,thesar i mendjes së saj. E tramkosur, bashkimin e dy shoqatave e quante çmenduri.Ishte e bindur që këtë propozim e ka gatuar Vjollca.”Si nuk i vjen turp,që bën një sulm të befasishëm, në një aktivitet që po shkonte për bukuri?Si nuk u ngopen me pushtet komunistat? Të tëra duan t’i udhëheqin vetë.Unë kam qëne desidente që në moshën pesë vjeçare, dhe po pranoj tani në demokraci, të jem vartëse e tyre!?E kam duruar mjaft qendrimin e saj si belereshë.”
Një propozim i rastësishëm, dashamirës, nga nxitimi e kuptuan në krah të kundërt. Ju aktivizua kujtesa. Si në film,i pasqyroheshin marëdhënjet me miken e mirë, që nga njohja e deri atë ditë.” Eshtë e vertetë se gjithnji më ka mbajtur pranë. Ajo më ndihmoi ta ngrej shoqaten.Tani kërkon të ma marrë, duke më gënjyer me nënkryetarllëqe. Pse? Çfarë i duket vetja e saj, se është më mençur se unë? Ku ka llafazane të mençur,që po na dilka ajo mbi të tjerat ? Nuk i pushon goja tërë ditën,sepse është e bindur se i di të gjitha.”
“E kam edhe një inatë të vjetër. Kujton e mjera se e kam harruar, që bashkëjetuesin e saj të parë e doja unë më përpara.Kur e ndau,ma shiti sikur e bëri për hatrin tim. Kush i han këto përralla.Eshtë e vertete që i thashë: - Mirë ia bëre qenit që e ndave! Idjotia! Si i shkonte ndërmend,se do të shkoja me një burrë, i cili ka bashkëjetuar me një femër, që i vjen era e djersës njëqind metër larg? Të mos më bëjë të flas! Me budallallëqet e saja,kam aq material,sa mund të shkruaj një skenar telenovele. Me vite të tëra që do t’i mbaja gratë ,të mpira para ekranit,po të rrëfej bëmat e saja.” E ndau mendjen që atë natë.” Me Vjollcën do të ndërpriste çdo marëllënje,sepse nuk e do më për mike.”
Nga ajo natë, nga shoqe u tjetërsuan në shemra. Zemërimi u pushtoi arsyetimin dhe i shpërndau fletët e lakrorit ,të vendosura njëra mbi tjetren, me delikatesën e hipokrizisë femërore. Dy engjëllushet e qytezës ranë në mëri, nga një propozim spontan. Tregoi se shoqëria e tyre nuk qe fisnike,si e Zanave dhe Shtajzovalleve në përrallat e bukura. Në ndezjen e urrejtjes nuk qe si shkrepse - paraja, ngatrrestaria historike e miqësive. Nga bisneset fitojmë më shumë se nga shoqatat. Ngaqë instikti femërore i karrjerës u pickua deri në barbarizëm, mbolli farën e urrejtjes.
Edhe kur hipin në tribuna, në aktivitete të ndryshme grashë, njëra rri majtas e tjetra djathtas, pavarësiht nga shikimi përballë, apo nga prapa. Në qytezë , thashethemet mbrojnë idenë, se në mërinë e mikeshave është prezent Princi i Kaltërt. Pavarësisht nëse ai është diku larg ,apo pranë, mbetet ngacmuesi mitik i psiqikës femërore. Meqë emri i mashkullit nuk konkretizohej, mbrojtësit e bukurosheve e rrëzojnë me përbuzje thashethemnajen e ngritur me këtë motiv.
Edhe qyteza e ka ndjerë ndarjen e tyre. Ju dhimben në shpirtë, kur i shohin të gjesdisin rrugëve të veçuara , me mungesën e dikurshme të energjive. Qytezën e zbukuronin dy xanxarët, kur ecnin përkrahu dhe u buzëqeshnin qytetarëve. Lulet e bukura, që lajmërojnë ardhjen e pranverës,e rriten intesitetin e vyshkjes, sepse e ndjenin shpirtërisht ndarien. Banorët janë të bindur , se janë shoqatat e shumta ,që po i ndajnë gratë, më keq se partitë politike tërë shqiptarët.
As Vjollcës, as Manit, as miqve të tyre,nuk u shkon ndërmend të organizojnë një ballafaqim midis ishmikeshave. Në atë takim,të sinqertë si dikur, do ta largonin turbullirën mendore. Me sytë e bukur, do ta shihnin se asnjëra nuk ka gisht për kërkesën e ardhur nga poshtë dhe do të bindeshin se janë zënë krejtësisht kot. Një propozim spontan, u nxorri në dritë pezhiskat,që u injektoi të menduarin provincial, sepse kanë kohë që nuk u hedhin sy librave, që dikur i donin aq shumë.